|
 | Mihai Fulger është gazetar dhe kritik kinematografie dhe jeton në Bukuresht të Rumanisë. Që në vitin 2002, ai ka botuar qindra shkrime për çështje të ndryshme të kinematografisë (kritika filmi, shënime festivalesh, profile regjisorësh, ese, intervista me producentë, recensione të librave kinematografikë) në botime të ndryshme kulturore dhe të përgjithshme (“Observator cultural”, “Cultura”, “Caiete critice”, “Cuvântul”, “Averea”, “Prezent”, etj.), si edhe në internet (LiterNet.ro, HotNews.ro, CineTipar.blogspot.com, GingerGroup.ro, KoreaFilm.ro, etj.). Libri i tij i parë ishte një vëllim me intervista i titulluar "Vala e Re" e Kinematografisë Rumune (“Noul val” în kinematografia românească), i nderuar në vitin 2007 me çmimin “George Littera” të Shoqatës rumune të Kritikëve të Filmit. Ai ka përkthyer dhe ka redaktuar disa libra kinematografikë. Fulger është anëtar i Shoqatës së Kritikëve të Filmit që funksionon nën ombrellën "Unioni i Kineastëve Rumunë" (Uniunea Cineaştilor din România – UCIN) dhe i Federatës Ndërkombëtare të Kritikëve të Filmit (FIPRESCI). Ai ka qenë seleksionues, programues dhe anëtar jurie në disa festivale filmi në Rumani dhe jashtë shtetit, si edhe është angazhuar në organizimin e festivaleve vendore. Ai ka qenë anëtar i jurisë FIPRESCI në festivalet e zhvilluara në Poloni, Rumani dhe Kore të Jugut. |
|